Organizohen aktivitete në nderim të Ditës së Dëshmorëve të Podujevës

Në nderim të 5 majit – Ditës së Dëshmorëve të Podujevës, u organizuan aktivitete të shumta, u dhurua gjak dhe u bënë homazhe aty ku prehen dëshmorët. Manifestimi qendror u mbajt në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Penuhë. Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo ditë është një kujtesë kombëtare për të çuar përpara idealin e dëshmorëve në vend.

E ulur pranë varrit të djalit të saj dëshmor, qëndron e heshtur, me duar që i dridhen mbi gjunjë. Hyra Statovci, djali i së cilës ra dëshmor 26 vjet më parë në komunën e Podujevës, nuk foli shumë për sakrificën e Halimit, por tha se ndihet krenare për rrugën e lirisë që i biri zgjodhi.

“Për djalë tonë e për tanë ata kanë fituar për veti, po për neve sa të jetë jeta kena me hjek… Evladi është dashni e madhe tash ton kanë fëmi të vet…”, tha Hyra Statovci, nëna e dëshmorit Halim Statovci.

Sikurse Halimi, janë edhe mbi 150 dëshmorë të tjerë të Zonës Operative të Llapit, në krye me heroin Zahir Pajaziti, që kujtohen çdo 5 maj në Ditën e Dëshmorëve të Kombit.

Manifestimi qendror u mbajt në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Penuhë. Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo ditë është një kujtesë kombëtare për të çuar përpara idealin e dëshmorëve.

” Ata nuk jetuan për të parë ditët që ëndërruan, por falë gjakut të tyre ne sot jetojmë të lirë, flasim gjuhën tonë dhe ndërtojmë të ardhmen tonë në një shtet të pavarur dhe demokratik”, tha Bulliqi.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, foli për mungesën e unitetit aktual të aktorëve politikë, për të cilin tha se Zahiri dhe dëshmorët tjerë nuk e meritojnë një gjë të tillë.

“Dëshmorët dhe pasardhësit e tyre nuk kërkojnë vetëm fjalë, kërkojnë angazhim, përkushtim e obligim. Liria nuk mjafton të fitohet, ajo duhet të mbahet gjallë çdo ditë…”, tha Mustafa.

Rafet Llapashtica, kryetar i OVL të UÇK-së në Podujevë, u shpreh se historia e Kosovës është e mbushur me lavdi e krenari të madhe.

“Ky rrugëtim dhe sakrifica e heronjve tanë bënë që UÇK të jetë ndikimi më i thellë në historinë e shtetit tonë. Liria dhe shteti i Kosovës e ka shenjtërimin tek gjaku i dëshmorëve…,” tha Llapashtica.

Në nderim të 5 majit – Ditës së Dëshmorëve të Podujevës, organizohen aktivitete të shumta, dhurohet gjak e bëhen homazhe aty ku prehen dëshmorët.


Go to TOP