Organizatat e arsimit me thirrje ndaj deputetëve që ta votojnë statutin e ri të UP-së

Katër organizatat e arsimit të Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitete (KITU) presin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë sot draftin e statutit të Universitetit të Prishtinës, i cili është punuar nga vet universiteti me ndihmën edhe të ekspertëve të huaj.

Në reagimin e tyre thuhet se ky është një moment kur partitë politike duhet të shohin përtej politikave ditore me qëllim të përmirësimit të gjendjes në arsim dhe të tregojnë se dinë të jenë unike në rrethana të tilla.

“Drafti që del sot për votim në Kuvend nuk është modifikuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, gjë që KITU e përshëndetë. Si rrjedhojë KITU konsideron se të gjitha partitë politike pa dallim duhet ta mbështesin Universitetin e Prishtinës në modernizimin e statutit të tij dhe avancimit të cilësisë shkencore e akademike të tij”.

“Prandaj KITU fton për votim të Statutit përtej dallimeve partiake e ideologjike”, thuhet në reagim.

Të njëjtën thirrje për deputetët e Kuvendit sot e pati edhe Universiteti i Prishtinës për votimin e Statutit të ri të tij.

Go to TOP