Orban propozon që ai të ndërmjetësojë kontestin mes Shkupit dhe Sofjes

Gjatë vizitës së kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Maqedoninë e Veriut, ai i propozoi homologut të tij maqedonas, që të bëhet ndërmjetësues për ta zgjidhur kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pasi kjo e fundit me veto e ka bllokuar shtetin maqedonas që të nisë negociatat për anëtarësim në BE.

Kryeministri hungarez Viktor Orban propozoi nga Ohri që ai të jetë ndërmjetës për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes.

Ai tha se Maqedonisë së Veriut  i është bërë padrejtësi historike, jo që ende nuk është pjesë e BE-së, por edhe që është shkëputur nga Shqipëria, e cila në muajin tetor pritet t’i filloj negociatat për anëtarësim.

“Nevojitet marrëveshje me Bullgarinë dhe për këtë kam një propozim, atë propozim ia përcolla zotit kryeministër dhe i thash se ne jemi të gatshëm që ta shfrytëzojmë kryesimin me BE-në, që të ndërmjetësojmë rreth kësaj çështje. Nëse palët janë të gatshme që ta pranojnë Hungarinë si ndërmjetësues ajo është punë e tyre”, tha Orban.  

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, duke i uruar suksese qeverisë shqiptare në procesin e negociatave me BE-në,tha se vendi i tij nuk duhet t’i humb shpresat dhe të zhgënjehet.

“Kisha kënaqësinë të pres homologun  tim Orban. Ne do të punojmë fort t’i zgjidhim problemet në shtëpi. I uroj qeverisë shqiptare gjithë të mirat në procesin e negociatave dhe të bëhen sa më parë anëtare. Më vjen keq që vetëm dy palë u ndanë të kënaqura me këtë vendim, politikanët e fqiut  tonë lindor dhe opozitës në vendin tonë”,  deklaroi Mickovski.

Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut është bllokuar nga vetoja e Bullgarisë e cila kërkon përfshirjen e pakicës bullgare  në kushtetutën e vendit.


Go to TOP