Opozita nuk e përkrah Projektligjin për Byronë, Haxhiu i fton për diskutim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e sotme të Kuvendit foli në lidhje me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë e Pajustifikueshme.

Para deputetëve, Haxhiu tha se ndonëse debati për këtë çështje është mbyllur, sërish si Qeveri mirëpresin diskutimin pas opinionit të Komisionit të Venecias.

Sipas saj, ky Komision i ka dhënë dritën e gjelbër qëllimit që ka Projektligji në fjalë.

Por, për këtë Projektligj kritika kanë pasur partitë opozitare, duke e quajtur iniciativë joserioze.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se në politikë e mundshmja dhe e drejta shpesh ndahen nga një fije e hollë.

“Në politikë e mundshmja dhe e drejta shpesh ndahen nga një fije e hollë, por e mundshmja kurrë nuk mund ta zëvendësojë të drejtën dhe një shtet ligjor e demokratik nuk do të duhej të kishte të mundshme jashtë saj çka konsiderohet e drejtë, sepse kjo do të ishte e padrejtë”, është shprehur ajo.

Projektligji për Byronë sipas saj është iniciativë joserioze, e pamatur dhe e vobektë.

“Vetëvendosja me këtë Projektligj ka provuar të ndërrojë këtë formulë, duke tentuar ta bëjë të mundshmen të drejtë, sepse krejt çka paraqet kjo nismë është që votat i ka për ta bërë të mundshme. Kjo iniciativë që është aq joserioze, e pamatur dhe e vobektë, s’ka të bëjë me drejtësinë e as me ligj”, ka thënë tutje Deliu-Kodra.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se nuk e përkrahin këtë Projektligj, pasi sipas tij, Komisioni i Venecias me opinionin e tij për Byronë ka konfirmuar pretendimet e opozitës.

“Me ministren e Drejtësisë pajtohesha vetëm me pjesën e citimeve. Kisha përshtypje se po lexojmë dokumente të ndryshme. Komisioni i Venecias i ka ngritur shumë dilema dhe shqetësime për këtë Projektligj. Ju lutem, asnjë qeveri të mos provojë që komisionin ta shfrytëzojë për legjitimim të iniciativa që janë joprofesionale dhe të mbrapshta”.

Go to TOP