OEAK kërkon shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë: Rrezik për ekonominë dhe punësimin

Pesë ditë para se të hyjë në fuqi liberalizimi i paralajmëruar i tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur shqetësimin e saj të thellë lidhur me rreziqet që ky proces paraqet për ekonominë e vendit, në formën aktuale të tij.

Sipas Odës Amerikane, ndërsa liberalizimi në parim është një hap i dëshirueshëm drejt një tregu më funksional, mënyra dhe koha e këtij tranzicioni janë të papërshtatshme. Ajo thekson se, pavarësisht numrit të furnizuesve të licencuar, vetëm një është plotësisht funksional në treg, çka lë bizneset pa zgjedhje reale dhe i ekspozon ndaj rritjeve të menjëhershme të çmimit të energjisë – në disa raste mbi 200%.

“Ky nuk është një treg i hapur dhe konkurrues, por një tranzicion i parakohshëm që u imponon bizneseve një shok të menjëhershëm financiar, në kohën kur ato tashmë përballen me sfida serioze ekonomike,” thuhet në reagimin e Odës.

Kjo situatë, sipas saj, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për mijëra vende pune, sidomos në sektorët industrialë me konsum të lartë të energjisë, që përbëjnë bazën e ekonomisë prodhuese të vendit.

Oda Amerikane gjithashtu nënvizon se për dallim nga vendet e tjera të rajonit, Kosova nuk ka qasje në burime alternative si gazi natyror, gjë që e bën të papërshtatshme krahasimin me modelet rajonale të liberalizimit. Ajo kërkon një qasje të kujdesshme, të fazuar dhe me mbështetje kalimtare, e jo një proces që njoftohet vetëm tre muaj para implementimit.

Në fund, Oda Amerikane shpreh shqetësim edhe për mungesën e funksionalitetit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se kjo cenon llogaridhënien dhe legjitimitetin institucional të një ndryshimi kaq të madh.

Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të shtyjë afatin e 1 qershorit dhe të shfrytëzojë periudhën pasuese për të ndërtuar një treg energjetik të qëndrueshëm, të rregulluar dhe konkurrues. Sipas saj, vetëm në këtë mënyrë do të mund të shmangen dëmet afatgjata për ekonominë, ambientin e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP