KQZ diskuton sfidat e procesit të kaluar zgjedhor dhe planin për ato lokale
Sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë organizimit të procesit zgjedhor të 9 shkurtit, proces i mbajtur për herë të parë me Ligjin e ri për Zgjedhje e funksionalizimi për herë të parë i Qendrave Komunale të Numërimit ishin disa prej diskutimeve që u bënë sot në punëtorinë që e organizoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
“Në këtë punëtori, ku morën pjesë anëtarë të KQZ-së dhe ZEKKZ-të u diskutua për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025 dhe zbatimin për herë të parë të Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2023”, thotë KQZ-ja në njoftim.
Në takim, sipas institucionit që organizon zgjedhjet, u diskutuan sfidat me të cilat është ballafaquar niveli lokal në faza të ndryshme të procesit përgatitor, derisa thuhet se në këtë punëtori që u mbështet nga OSBE-ja, vëmendje e madhe iu kushtua përgatitjes së procesit të ardhshëm të Zgjedhjeve Lokale, të cilat do të mbahen gjatë këtij viti.
“KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ), i cili gjatë periudhës së zgjedhjeve është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve”, thotë KQZ-ja.
Në vjesht, vendi pritet t’i nënshtrohet një tjetër procesi zgjedhor, atij të zgjedhjeve lokale, pak muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve nacionale më 9 shkurt.
Ndërkohë, edhe pas më shumë se 3 muajsh pas përfundimit të këtij procesi, vendi vazhdon të mos ketë institucione të reja, të krijuara si rezultat i zgjedhjeve. /Kosova.info/
