Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” rikthehet në operim pas sanimit të rrjedhjeve në kaldajë
Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është ndalur më 26 tetor 2025, si rezultat i rrjedhjeve të evidentuara në kaldajë.
Pas krijimit të kushteve të nevojshme për ndërhyrje, ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë mobilizuar menjëherë dhe kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve të paraqitura, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të njësisë në funksionim normal.
Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit të Termocentralit “Kosova B”, të gjitha sanimet janë përfunduar me sukses dhe njësia B2 është rikthyer në operim më 29 tetor, rreth orës 12:00. Aktualisht, ajo është duke operuar me një kapacitet prej rreth 290 MWh.
Në një sqarim për opinionin publik, KEK thekson se ndaljet e njësive gjeneruese në termocentrale të këtij tipi janë procese të zakonshme teknike, që ndodhin si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldaja ku janë të vendosura mbi 500 kilometra gypa. Për shkak të kohëzgjatjes së përdorimit të këtyre pajisjeve, rrjedhjet e tilla janë të pashmangshme dhe adresohen rregullisht nga ekipet profesionale të korporatës.
“Edhe operatorët e tjerë të sektorit energjetik në vend përballen me defekte të natyrave të ndryshme teknike – madje edhe në baza ditore – dhe këto situata asnjëherë nuk alarmohen në publik”, thuhet në reagimin e KEK-ut.
Korporata e konsideron të dëmshëm çdo keqinterpretim apo keqinformim lidhur me ndaljen e përkohshme të njësive gjeneruese, pasi ato nuk kanë asnjë lidhje me projektin madhor të modernizimit të turbinave në Termocentralin “Kosova B” – një nga investimet më të mëdha dhe më të suksesshme të dekadave të fundit në KEK.
KEK siguron opinionin publik se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme teknike dhe operacionale për garantimin e stabilitetit të prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit të qëndrueshëm për konsumatorët në të gjithë vendin.
