AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania pas konfirmimit të gripit të shpezëve

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Gjermania, pas konfirmimit të pranisë së sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotipi me patogjenitet të lartë HPAI – H5N1, në disa ferma të këtij shteti.

Sipas njoftimit zyrtar të AUV-së, vendimi është marrë në bazë të raportit të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Raportit të Komisionit Evropian të datës 28 tetor 2025, të cilat konfirmojnë përhapjen e virusit në disa rajone të Gjermanisë.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë ushqimore në Kosovë, ndalohet importi i:shpezëve të gjalla, mishit të shpezëve, vezëve, si dhe të gjitha nënprodukteve të tjera me origjinë nga territori i Gjermanisë.

Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet aktive deri në një vlerësim të ri të situatës nga autoritetet ndërkombëtare dhe nga vetë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet epidemiologjike dhe të bashkëpunojë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përhapjes së sëmundjes në Kosovë.

Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen në kohë për çdo ndryshim eventual në këtë vendim. /Kosova.info/


Go to TOP