Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” rikthehet në operim – KEK njofton për stabilizim të prodhimit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar rikthimin me sukses në operim të njësisë B2 të Termocentralit “Kosova B”, pas sanimit të defekteve teknike. Sipas njoftimit zyrtar, sinkronizimi i njësisë me rrjetin energjetik është realizuar më 10 prill 2025, rreth orës 23:39, dhe aktualisht njësia po funksionon në mënyrë të qëndrueshme, brenda të gjitha parametrave teknikë normalë.
Ky sukses i KEK-ut vjen si rezultat i angazhimit të pandërprerë të punëtorëve dhe menaxhmentit të Termocentralit “Kosova B”, të cilët punuan me intensitet për rikthimin sa më të shpejtë të njësisë në funksion. Edhe pse fillimisht ishte planifikuar që njësia të rikthehej në operim në orët e hershme të mëngjesit, gjatë provës hidraulike u identifikuan disa rrjedhje shtesë në kaldajë, të cilat kërkuan ndërhyrje teknike shtesë para sinkronizimit përfundimtar.
“Faleminderit stafit teknik dhe menaxherial për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar. Rikthimi u realizua brenda afatit të paraparë dhe në përputhje me nominimet për datën 11 prill 2025,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata Energjetike e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar për të siguruar një prodhim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike për vendin, duke informuar publikun me kohë për çdo zhvillim të ri në këtë drejtim. /Kosova.info/
