Lidhja e Bizneseve të Kosovës kundër shtrenjtimit të energjisë: Rritja e tarifave goditje për ekonominë
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), në emër të anëtarëve të saj dhe komunitetit të gjerë të biznesit, ka reaguar ashpër kundër propozimeve për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në vend. Në një deklaratë publike, LBK shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ndikimet që një vendim i tillë do të kishte në qytetarët, prodhimin vendor dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
“Energjia elektrike është shtyllë themelore e funksionimit të ekonomisë kombëtare. Çdo shtrenjtim i saj ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, rrezikon prodhimin vendor dhe pengon zhvillimin ekonomik,” thuhet në deklaratë.
LBK ka adresuar zyrtarisht shqetësimet e saj pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke kërkuar që të merren parasysh pasojat e rënda që do të pësojnë sektori i prodhimit, shërbimet dhe mirëqenia sociale e qytetarëve në rast të rritjes së tarifave.
“Ekonomia jonë ka nevojë për politika që nxisin rritjen, fuqizojnë konkurrencën dhe mbështesin sektorin privat – jo për barrë shtesë,” theksoi më tej LBK duke kërkuar që ZRRE dhe institucionet relevante të veprojnë me përgjegjësi dhe të refuzojnë çdo iniciativë që rëndon mbi konsumatorët.
Sipas LBK-së, energjia duhet të jetë një motor zhvillimi dhe jo një pengesë për investime e përparim. Lidhja riafirmon përkushtimin e saj për të përfaqësuar me vendosmëri interesat e bizneseve dhe për të kontribuar në ndërtimin e një ekonomie të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë.
“Rritja e çmimit të energjisë është goditje e drejtpërdrejtë për qytetarët, bizneset vendore dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Energjia duhet të jetë zhvillim – jo pengesë!”, përfundon reagimi. /Kosova.info/
