Njëherë iu prezantua si person me aftësi fetare shëruese e më pas e shantazhoi, prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, A.B.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes paraqitjes së rreme të fakteve, e mashtron dhe e vë në lajthim personin tjetër, duke e nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së saj dhe atë të dëmtuarën A.H., në atë mënyrë që pasi e dëmtuara e kishte vajzën e sëmurë, e njëjta bie në kontakt me të pandehurin dhe prezantohet si person me aftësi fetare shëruese. Në emër të këtij shërimi e dëmtuara i dërgon vazhdimishtë të holla përmes agjencionit të transfereve në shumën prej 10,000.00 Franga.
Gjithashtu i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kanos personin, se do të zbulojë lidhjen e tyre jashtëmartesore, dhe për këtë i kërkon të holla duke e tërhequr pensionin e Zvicrës dhe të ja sjell të pandehurit. Kur e dëmtuara kupton se është viktimë e mashtrimit dhe refuzon t’i dërgojë më të holla, i pandehuri, me llogari falso, i dërgon të gjitha fotot dhe videot bashkëshortit të saj, përmes rrjetit social Facebook.
Ai dyshohet për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shantazhi”.
