Policia e Kosovës shënon nesër Ditën Memoriale të zyrtarëve të rënë në detyrë, organizohen homazhe dhe vizita përkujtimore

Policia e Kosovës do të shënojë të dielën, më 26 korrik 2026, Ditën Memoriale të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, me një sërë aktivitetesh përkujtimore në nderim të policëve që sakrifikuan jetën në mbrojtje të rendit, ligjit, sovranitetit të vendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Në ceremonitë përkujtimore do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, drejtues të Policisë së Kosovës, përfaqësues të institucioneve të tjera, familjarë të të rënëve dhe qytetarë.

Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me homazhe shtetërore pranë Lapidarit të Policëve të rënë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës. Më pas, në orën 11:00, do të mbahen homazhe te varri i Heroit Afrim Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa në orën 11:15 personalitetet shtetërore do të vizitojnë familjen e tij.

Në orën 12:15 është planifikuar vizita në familjen e Heroit Enver Zymeri në Vushtrri, ndërsa në orën 13:30 do të mbahen homazhe pranë lapidarit në vendin e rënies së tij në Varagë të Zubin Potokut.

Policia e Kosovës ka ftuar përfaqësuesit e mediave që të përcjellin këto aktivitete, si dhe qytetarët që t’i bashkohen nderimit të kujtimit të zyrtarëve policorë që dhanë jetën në mbrojtje të rendit kushtetues, sigurisë publike dhe Republikës së Kosovës.

Sipas Policisë, sakrifica e tyre mbetet një frymëzim i përhershëm dhe një dëshmi e përkushtimit të këtij institucioni në shërbim të qytetarëve dhe shtetit. /Kosova.info/


Go to TOP