Kosova sonte përballet me Maltën në gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian U18 për Vajza
Kombëtarja U18 e Kosovës në basketboll për vajza do të luajë sonte ndeshjen më të rëndësishme të deritanishme në Kampionatin Evropian U18 të Vajzave, Divizioni C, ku në gjysmëfinale do të përballet me Maltën.
Takimi do të zhvillohet në palestrën sportive “Karagaçi” në Pejë, me fillim nga ora 19:00, ndërsa pritet të jetë një duel vendimtar për sigurimin e një vendi në finalen e kampionatit.
Vashat e Kosovës kanë treguar paraqitje të mira gjatë fazës së deritanishme të garës, duke siguruar me meritë kualifikimin në mesin e katër skuadrave më të mira të turneut. Tashmë, synimi i tyre është të kalojnë edhe pengesën e Maltës dhe të vazhdojnë garën për titull.
Kampionati Evropian U18 për Femra, Divizioni C, po zhvillohet nga 21 deri më 26 korrik në Pejë, me ndeshjet që luhen në palestrën sportive “Karagaçi”.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka ftuar tifozët që të jenë të pranishëm në palestër për të mbështetur basketbollistet e reja të Kosovës në këtë sfidë të rëndësishme drejt finales.
