Kelmendi i bashkohet thirrjes së Ramës: Do ta paraqes profilin “Lule Gjeli” në organet e rendit
Gazetari Adriatik Kelmendi ka njoftuar se planifikon ta paraqesë profilin “Lule Gjeli” në organet e rendit duke e akuzuar për shpifje të vazhdueshme ndaj tij dhe familjes së tij.
Në një reagim publik, Kelmendi tha se i bashkohet kërkesës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për transparencë nga BIRN Kosova, Kallxo.com, Internews Kosova dhe drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra.
Sipas Kelmendit, përgjigjet lidhur me identitetin e autorit që përdor emrin “Lule Gjeli”, natyrën e bashkëpunimit me këtë profil, kohëzgjatjen e tij, pagesat e mundshme dhe burimin e fondeve, si dhe çdo përfshirje eventuale të politikanëve në publikimin e opinioneve, janë të domosdoshme për zbardhjen e rastit.
Ai po ashtu kërkon që institucionet dhe organizatat e përmendura të sqarojnë nëse do t’u kërkojnë falje personave që, sipas tij, janë dëmtuar nga aktiviteti i këtij profili duke theksuar se edhe ai e konsideron veten një nga viktimat. /Kosova.info/
