Boksieri Ardian Krasniqi nënshkruhet në Librin e Artë të Rottweil

Boksieri i famshëm shqiptar, Ardian Krasniqi, i cili është kampion WBO Intercontinental dhe kampion i sapokurorëzuar i Evropës në versionin WBA, është nënshkruar në Librin e Artë të qytetit Rottweil, pas takimit që pati me kryetarin e bashkisë, Christian Ruf.

Për boksierin 29-vjeçar, i cili ka fituar të 13 ndeshjet e tij profesionale, 12 prej tyre me nokaut, ishte një moment i rëndësishëm për karrierën e tij.

Nënshkrimi në Librin e Artë të qytetit do të thotë jashtëzakonisht shumë për mua. Është një nder i madh. Kam lindur dhe jam rritur në Rottweil. Këtu i njoh të gjitha rrugët dhe këtu kam festuar sukseset më të mëdha të karrierës sime. Do të jem gjithmonë besnik ndaj Rottweil-it dhe do ta përfaqësoj qytetin tim me krenari kudo në botë”, ka thënë ylli shqiptar.

Kryebashkiaku Dr. Christian Ruf vlerësoi arritjet e kampionit shqiptar, duke theksuar se qyteti është krenar që ka një sportist të tillë si ambasador të tij.

Ceremonia kishte edhe një simbolikë të veçantë për familjen Krasniqi. Më 18 shkurt 2004, edhe xhaxhai i Ardianit, ish-kampioni i njohur Luan Krasniqi, kishte nënshkruar në Librin e Artë të Rottweil-it pasi fitoi titullin e kampionit evropian ndaj turkut Sinan Şamil Sam. Pas 22 vjetësh, Ardiani vazhdoi traditën e familjes me një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare.

Rottweil, qyteti më i vjetër i landit Baden-Württemberg, njihet për traditën e tij sportive, ndërsa familja Krasniqi prej vitesh ka qenë një nga emrat që e ka promovuar atë në skenën ndërkombëtare të boksit.

Go to TOP