‘Një këngë, një Evropë’ bën bashkë 12 shtete
“One Song, One Europe” quhet ngjarja e cila bëri bashkë 12 instrumentistë në Shkup, duke përfaqësuar vendet e tyre, disa me instrumente tradicionale vendore e disa me instrumente moderne.
Edhe Kosova e Shqipëria janë pjesëmarrëse, Kosova përfaqësohet me Driton Bejtën ndërkaq Shqipëria me muzikantin Gent Rushi.
“Për mua është edhe një nder të përfaqësoj kulturën dhe instrumentet tona. Çiftelisë i kam rënë si fëmijë edhe pse kam diplomuar si jazz kitarist, kombinimi është i natyrshëm dhe i rrjedhshëm”, ka thënë Bejta.
“Fizarmonika është instrument shumë fleksibil dhe mendoj që është shumë e thjeshtë të familjarizohet me instrumente të tjera”, ka thënë Rushi.
Producenti muzikor i ngjarjes, Dino Sukalo, ka thënë se veçantia qëndron te bërja bashkë e 12 natyrave të ndryshme muzikore.
“Ky është kompleksiteti i gjithë ngjarjes. ‘Ode to Joy’ është vepër që është luajtur disa herë, por kurrë në këtë mënyrë të zërave krejtësisht të ndryshëm, asnjëherë në historinë e saj. Ka qenë sfidë, por edhe në mënyrë logjistike”, ka shtuar ai.
“One Song, One Europe” është organizuar nga “We Balkans”.
Përveç Kosovës e Shqipërisë morën pjesë edhe Bosnje Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Franca, Gjermania, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Serbia.
