Një i vdekur e një i plagosur në rrugën “B” në Prishtinë

Një person ka vdekur dhe një është plagosur në rrugën “B”, në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në një ndërtesë në rrugën “B” në Prishtinë, kështu tha zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej  personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara femër, 30 vjeçare është dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Bëhet e ditur se mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë.

Hetuesit policorë po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes.


Go to TOP