Nis takimi në Bruksel, Lajçak pret Bislimin

Në Bruksel ka nisur takimi në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së për bisedime, Mirosllav Lajçak. Pas përfundimit të këtij takimi emisari i BE-së, pritet që të zhvillojë takime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimi i përbashkët ende nuk është konfirmuar, pasi siç thuhet, gjithçka varet nga atmosfera që do dominojë gjatë takimeve të ndara.

Kujtojë se javën e kaluar Bashkimi Evropian bëri të ditur se temë diskutimi në këtë takim do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin, ndonëse nga Qeveria e Kosovës në vazhdimësi kanë deklaruar se për këtë çështje nuk do të diskutohet në Bruksel.

Një ditë para këtij takimi, për dinarin ka folur presidentja Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel sot, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Go to TOP