Nis ndërtimi i çerdhes së re në Bardhosh – Rama: Për familjet, për fëmijët, për të ardhmen
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për fillimin e punimeve për ndërtimin e një çerdheje të re në lagjen Bardhosh duke e cilësuar këtë projekt si një tjetër hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të arsimit të hershëm dhe kujdesit ndaj fëmijëve në kryeqytet.
Çerdhja e re do të ndërtohet në një hapësirë prej 1552 m² dhe do të ketë kapacitet për 120 fëmijë. Projekti do të realizohet brenda një afati prej 36 muajsh dhe do të ofrojë kushte moderne, të sigurta dhe të ngrohta për fëmijët e komunitetit.
“Sot nisën punimet në Bardhosh për ndërtimin e një çerdheje moderne që do të jetë në shërbim të familjeve dhe të së ardhmes së fëmijëve tanë. Po punojmë çdo ditë që kujdesi dhe arsimi i hershëm të jenë cilësor dhe të qasshëm në çdo lagje të Prishtinës,” ka deklaruar Rama.
Ky investim vjen si pjesë e angazhimeve të Komunës së Prishtinës për të zgjeruar infrastrukturën arsimore dhe sociale duke u fokusuar veçanërisht te nevojat e hershme të fëmijëve dhe mirëqenia familjare.
“Për familjet, për fëmijët – për të ardhmen,” përfundoi kryetari Rama. /Kosova.info/
