Nga “një pogaqe normale” në 10.5 euro – Muharremi: Ky është inflacioni që po na rrënon!
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar në rrjete sociale lidhur me një përvojë personale në një lokal, ku për një porosi të thjeshtë, një pogaqe normale, pak lëng dhe dy speca, fatura përfundimtare arriti në 10.5 euro. Ai e sheh këtë si një shembull konkret të ndikimit të inflacionit dhe krizës energjetike në përditshmërinë e qytetarëve dhe bizneseve.
“Një porosi që ka kushtu ndoshta 3-4 euro, e paska kalu 10 euro në këtë rast,” shkruan Muharremi duke shtuar se ky është ilustrimi më praktik i inflacionit dhe efektit zinxhir që ai ka shkaktuar në ekonomi.
Sipas tij, rritja e çmimit të rrymës gjatë viteve të fundit ka ushtruar presion të madh mbi bizneset duke sjellë rritje të përgjithshme të çmimeve dhe ulje të fuqisë blerëse të familjeve. “Ky inflacion i ka bërë bizneset dhe ekonominë më pak konkurrente, më të dobëta,” thekson ai.
Muharremi paralajmëron se pasojat e kësaj situate janë serioze dhe të ndërlidhura: rritje e importeve, thellim i deficitit tregtar, papunësi, varfëri dhe migrim në rritje. Ai bën thirrje për politika më të qëndrueshme ekonomike dhe përkrahje të shtuar për prodhimin vendor për të përballuar këtë krizë. /Kosova.info/
