Nën sekuestro kompania “5D” dhe pasuri të tjera të ish Drejtorëve të Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se Gjykata kishte pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të kompanisë “5D” e cila dyshohet të jetë në pronësi të dy ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Maringlen Qato, të arrestuar në mars të këtij viti.

Nën sekuestro është vendosur dhe një tjetër kompani “Restur” së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të Redi Mollës si dhe 24 për qind të kuotave të aksioneve, që kjo kompani kishte në një tjetër shoqëri e cila ka ndërtuar një hotel në Durrës. Dy sipërfaqe trojesh dhe një ndërtesë në Tiranë, në emër të të afërmve të këtij të Mollës, janë sekuestruar, sikundër dhe dy apartamente në emër të një të afërmeje të Maringlen Qatos.

Sipas Prokurorisë, Kompania “5D” dyshohet të ketë përfituar në shkelje të rregullave disa tenderë nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj, me vlera disa miliona eurosh. Arrestimet e Mollës, ish kreu i shoqërisë “Ujësjellës- Kanalizime”, dhe Qatos, i cili deri para disa kohësh, ishte në krye të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, u shoqëruan dhe me një urdhër të dytë arresti për Taulant Tushen, ish Drejtor i Përgjithshëm, i cili prej muajit dhjetor ndodhet në paraburgim, për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Tiranës. Masa më të lehta sigurie u dhanë në mars dhe për 4 drejtorë e ish drejtorë të tjerë të Bashkisë.

Prokuroria e Posaçme, bëri të ditur sot se hetimet e saj kanë pasur si qëllim që të përcaktonin “shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik, dhe mënrën se si kanë qarkulluar këto shuma”.

Prokurorët thonë se kanë krijuar dyshime të arsyeshme se përfitimet e parregullta të siguruara nga kompania “pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet pagesave për punime fiktive, duke u marrë në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të saj” dy ish drejtuesit në Bashkinë e Tiranës. Po ashtu, provat e siguruara ngrenë dyshimet se paratë në “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Hetimet për këtë rast, po zhvillohen për disa vepra penale, që nga fshehja e pasurisë, të shkelja e barazisë në tenderë, korrupsioni apo pastrimi parave. Pak ditë më parë Gjykata e Posaçme e Apelit, ndërsa mori në shqyrtim masat e sigurimit ndaj dy ish drejtorëve, konfirmoi arrestin me burg duke vlerësuar se “ka dyshime të arsyeshme se ata në bashkëpunim me subjekte të tjerë, persona fizikë dhe juridikë, kanë krijuar një nga format e bashkëpunimit të posaçëm penal, konkretisht “Grup i strukturuar kriminal”, me qëllim kryerjen e veprave penale që pas sjellin përfitime personale”.

Rasti i kompanisë “5D”, provokoi një seri protestash përpara Bashkisë së Tiranës, nga ana e opozitës, e cila, pavarësisht një mbështetjeje të ulët, mblidhet çdo javë, nën thirrjet për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke hedhur flakadanë apo djegur goma makinash. Zoti Veliaj është distancuar nga ish drejtorët e tij, duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.

Go to TOP