Në Tiranë mbahet Parada e Krenarisë
Në Shqipëri u zhvillua për herë të dymbëdhjetë para e komunitetit LGBT+. Pjesëtarë të këtij komuniteti dhe aktivistë marshuan në Tiranë nga instilacioni Reja drejt Kryeministrisë dhe Presidencës.
Motoja e kësaj Parade të Krenarisë ishte “Çdo ngjyrë, një familje”.
Aktivistja Xheni Karaj tha se kjo javë është shoqëruar me gjuhë të urrejtjes nga këtij komuniteti dhe tha se Parada e Krenarisë ishte mundësi për të treguar se “nuk jemi kërcënim për askënd”.
“Jemi cilësuar si kërcënim për familjen, ndërkohë që jemi pjesë e familjes së çdokujt. Ne nuk jemi kërcënim për familjen e askujt. Duam të përcjellim mesazhe uniteti dhe dashurie për njerëzit, që të kuptojnë që, në fund të fundit, jemi si gjithë tjerët dhe jemi pjesë e familjes”, tha ajo gjatë Paradës së Krenarisë.
Më 17 maj, në Ditën kundër homofobisë, në tarracën e bashkisë së Tiranës u zhvillua një ceremoni martese simbolike, ku një pastor britanik lidhi në martesë dy gra të komunitetit LGBT+. Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj janë prej 14 vjetësh në lidhje së bashku. Ato kanë dy vajza dhe prej vitesh po përpiqen të regjistrojnë familjen e tyre me dy nëna.
Kodi i Familjes në Shqipëri nuk lejon martesën mes personave të së njëjtës gjini, megjithatë dy gratë dorëzuan në zyrat e gjendjes civile një kërkesë për shpallje martese. Ato thanë se e bazuan kërkesën në nenin 53 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku theksohet se “kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje”.
Ceremonia e martesës së tyre, edhe pse simbolike dhe pa vlerë ligjore, shkaktoi debate të shumta, por edhe protesta. Të premten, më 24 maj, qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare protestuan në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe marshuan drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar martesat e së njëjtës gjini, që i cilësuan “shkatërrim të familjes”.
Gjithashtu këtë javë qytetarë të shumtë kanë firmosur peticionin “manifesti i jetës”, hartuar nga përfaqësues të organizatave në mbrojtje të familjes, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe aktivistë të shoqërisë civile. Ky peticion kundërshton nismën më të re të Qeverisë shqiptare për ndryshime në Ligjin për Shëndetin seksual dhe riprodhues që lejon surrogacinë. Organizatorët e protestës të së premtes dhe nismëtarët e peticionit thanë se pas mbledhjes së nënshkrimve do ta dorëzojnë peticionin në Kuvend dhe do të kërkojnë të mos votohen ndryshimet në ligj.
Referuar debateve që shkaktoi në opinionin publik në Shqipëri dasma simbolike mes dy grave, Xheni Karaj gjatë Paradës së Krenarisë, tha se debatet me gjuhë urrejtje nuk e ndihmojnë shoqërinë.
Pjesëtarët e komunitetit LGBT dhe aktivistë që morën pjesë në paradë kërkuan që ky komunitet të respektohet dhe të mos paragjykohet apo kërcënohet.
Gjatë paradës, aktivistët mbanin në duar banderola ku shkruhej “Çdo ngjyrë, një familje” dhe flamurin shumëngjyrësh që përfaqësojnë këtë komunitet. Marshimit iu bashkuan edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King Smith.
Gjatë kësaj jave në Shqipëri janë mbajtur disa aktivitete në kuadër të ditëve kundër homofobisë. Një ndër to ishte Festivali i 15-të i Diversitetit për të drejtat e LGBT+ duke mbështetur barazinë, respektin, dhe diversitetin e qenies njerëzore. Gjithashtu janë vlerësuar 30 persona dhe institucione apo organizata që kanë mbështetur publikisht prestarët e këtij komuniteti.