Në Podujevë u mbajt Manifestimi letrar ‘Adem Demaçi’

Organizuar nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, dega në Podujevë, u mbajt Manifestimi letrar “Adem Demaçi” 2024.

Komuna njofton se ky manifestim u mbajt në Galerinë e Arteve në Podujevë, ku hapjen e bëri drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, e cila ka përgëzuar zyrtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve për organizimin e këtij Manifestimi.

Në fund të këtij Manifestimi u ndanë edhe çmime, ku me vendim të Kryesisë së LSHK-së – Dega e Podujevës dhe të Kryesisë së LSHK-së, u shpall laureati i çmimit “Adem Demaçi” me të cilin u nderua shkrimtari dhe publicisti, Rrustem Berisha. Për veprimtarinë krijuese të tij, foli kryetari i shoqatës Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Prof. Dr. Shyqri Galica. Fjalë rasti në këtë Manifestim mbajti edhe kryetari i Shoqatës LSHK-së Dega në Podujevë, Ramë Oraca.

Me krijimet e tyre u paraqitën rreth 25 poetë, ku vendin e parë e fitoi Fehmi Berisha, vendin e dytë Shqipe Hasani dhe vendin e tretë Valentina Dafa.

Manifestimi letrar “Adem Demaçi” po mbahet për të tretin vit me radhë dhe mëton të bëhet tradicional në Komunën e Podujevës. /Kosova.info/


Go to TOP