Në Muzeun Metropolitan në New York hapet ekspozita e Petrit Halilajt

Instalacioni skulpturor i Petrit Halilajt është inauguruar në tarracën e çatisë së Muzeut Metropolitan të Artit në New York.

Veprat e tij që prezantohet si artist kosovar, shpërfaqin përjetimet dhe ëndrrat e nxënësve të ilustruara në bankat e shkollës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se Halilaj përtej arritjes individuale të tij, ka bërë një arritje të madhe edhe në fushën e diplomacisë publike.

Po ashtu ministri ka thënë se artisti Petrit Halilaj ka arritur që përmes artit të sjell një pjesë historie të Kosovës në mesin e komunitetit më prestigjioz artistik të New Yorkut, duke bërë secilin prej nesh krenar për të dhe Kosovën njëkohësisht.

“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem pjesë e hapjes së ekspozitës së tij “ABETARE” në muzeun e New Yorkut, The Metropolitan Museum of Art.

Ekspozita u frymëzua nga vizatimet e shkrimet e nxënësve në bankat e shkollës që ai ndoqi në Runik gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, ndërsa për prezantimin në MET zgjeroi hulumtimin në shkolla të tjera ku kishte konflikte, në Shqipëri e vende nga ish-Jugosllavia. Këto vizatime të shndërruara në skulptura metalike sjellin kujtesën kolektive dhe fuqinë imagjinative të brezave të studentëve, jetët e të cilëve u shënuan nga konflikte traumatike dhe ndarje territoriale gjatë luftërave në Ballkan.

Përtej arritjes individuale të tij, kjo është një arritje e madhe në fushën e diplomacisë publike. Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në The MET, duke hapur rrugën e promovimit e prezantimit të artit e Kosovës para publikut e artdashësve amerikan e më gjerë”, ka shkruar Çeku në Facebook. /Kosova.info/

Go to TOP