Në Dritan u përkujtua dëshmori i lirisë Jakup Rrustem Shehu në përvjetorin e rënies heroike
Në organizim të shoqatave të dala nga lufta dhe bashkëluftëtarëve të fshatit Dritan, sot u përkujtua dëshmori i lirisë Jakup Rrustem Shehu, në përvjetorin e rënies së tij heroike.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, miq dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan jetën dhe sakrificën e tij për lirinë e vendit.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, Fatmir Kiqina, tha se Jakup Shehu mbetet simbol i guximit, sakrificës dhe dashurisë për atdheun, ndërsa rënia e tij më 2 maj 1999 është dëshmi e përkushtimit të palëkundur për lirinë.
Jakup Rrustem Shehu, nga fshati Dritan (ish-Dobroshevc) i Drenasit, ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 dhe u burgos disa herë nga regjimi i atëhershëm për veprimtarinë e tij kombëtare. Me daljen në skenë të UÇK-së, ai iu bashkua radhëve të luftëtarëve të lirisë dhe më pas Brigadës 114 të udhëhequr nga Fehmi Lladrovci.
Emri dhe vepra e tij, u tha në këtë përkujtim, do të mbeten përjetësisht në kujtesën kolektive të popullit shqiptar. /Kosova.info/

