Myftiu Tërnava dënon ashpër djegien e Kuranit në Gjakovë: Akt kriminal që cenon rëndë vlerat dhe harmoninë ndërfetare

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka reaguar ashpër pas djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë në Çabrat të Gjakovës duke e cilësuar këtë akt si vandal, kriminal dhe thellësisht tronditës.

Në deklaratën e tij, Myftiu Tërnava shprehet se është i tmerruar nga ky veprim i kryer me porosi dhe mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur duke theksuar se një akt i tillë cenon rëndë vlerat universale humane dhe godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit shqiptar.

Ai ka rikujtuar se populli shqiptar është identifikuar ndër shekuj për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respekt të ndërsjellë ndaj besimeve, kulturave dhe traditave të ndryshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme fetare.

Sipas Tërnavës, kohëve të fundit këto vlera janë vënë në shënjestër nga lëvizje të errëta, të cilat në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.

Ai thekson se individë dhe grupe të organizuara, përmes manipulimit dhe instrumentalizimit të opinionit publik, po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po bëjnë thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për zhdukjen e trashëgimisë dhe kulturës islame.

Myftiu i Kosovës ka ngritur shqetësimin se kjo propagandë e rrezikshme, në disa raste, po përkrahet edhe nga persona që mbahen si profesorë universitarë duke marrë shembuj nga modelet më të errëta të gjenocidit grek dhe serb ndaj shqiptarëve myslimanë.

“Të gjitha këto ideologji antishqiptare dhe antiislame kanë prodhuar pasoja konkrete dhe alarmuese, siç është edhe djegia dhe përdhosja e Kuranit në Gjakovë,” ka deklaruar Tërnava.

Me këtë rast, ai ka kërkuar nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, por edhe të ideatorëve dhe mentorëve të kësaj ideologjie të rrezikshme.

Po ashtu, Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të marrin masa konkrete për ruajtjen e kohezionit shoqëror, harmonisë ndërfetare, vlerave autentike të popullit shqiptar dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve. /Kosova.info/

Go to TOP