Murseli kritikon kryetarin Hyseni për mbylljen e KB Drita: një kapitull i lavdishëm po shuhet në heshtje

Asamblisti Gentrit Murseli ka ngritur shqetësimin e tij ndaj kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, pas mbylljes së klubit të basketbollit Drita, një nga klubet më të njohura dhe me traditë të gjatë në qytet. Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës, të mbajtur më 31 tetor, Murseli kërkoi sqarime për gjendjen e klubit, duke theksuar rëndësinë historike dhe emocionet që ky klub ka krijuar ndër vite tek gjilanasit.

Kryetari Hyseni iu përgjigj se klubi është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) si një biznes privat dhe për këtë arsye, nuk është në juridiksionin e tij për të ndërhyrë apo dhënë detaje të mëtejshme.

Sipas Murselit, kjo përgjigje ishte e ftohtë dhe e distancuar, duke treguar mungesë ndjeshmërie për një klub që ka qenë simbol i sportit dhe krenarisë së qytetit.

“Asnjë shqetësim nga kryetari, asnjë ndjeshmëri për një klub që ka rritur me breza të tërë, që ka mbushur sallat e Gjilanit me tifozë dhe që ka ndezur zemrat tona me krenari,” u shpreh Murseli në reagimin e tij publik.

Ai kritikoi faktin se vetëm pak javë më parë, kryetari Hyseni kishte deklaruar se kishte ndërhyrë për të zgjidhur problemet financiare të klubit, duke premtuar rikthimin e fuqishëm të KB Drita në basketbollin kosovar.

Por tani, kur klubi po mbyllet dhe historia e tij po shuhet në heshtje, Murseli akuzoi Hysenin për papërgjegjshmëri dhe për fokusim të tepërt në propagandë.

Sipas tij, ky moment duhet të shërbejë si një mësim për të gjithë, duke bërë thirrje që qytetarët dhe dashamirësit e sportit të bashkohen për ta rikthyer Dritën në parket dhe për ta mbajtur gjallë traditën sportive të Gjilanit.

“Kjo mbyllje është një zhgënjim i thellë për të gjithë ne dhe duhet të jetë forca që na motivon për të rikthyer klubin tonë dhe për ta ruajtur epitetin e Gjilanit si kryeqytet i sportit në Kosovë,” përfundoi Murseli. /Kosova.info/

Go to TOP