Murati kritikon LDK-në për premtimet mbi koeficientet e pagave: shkelje e ligjit dhe humor i pashije
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar premtimet e fundit të LDK-së për rritje të koeficientit të pagave deri në 150 euro, duke i cilësuar si premtime të pamenduara dhe të paqëndrueshme.
Sipas Muratit, Neni 22/C i Ligjit për Financat Publike, i miratuar në vitin 2016 si pjesë e programit të Qeverisë Mustafa me FMN-në, përcakton se rritja e pagave nuk mund të tejkalojë rritjen ekonomike të vendit brenda një viti fiskal.
“Kjo është e përcaktuar qartë në ligj,” tha Murati, duke nënvizuar se rritja e pagave është bërë vetëm në përputhje me rritjen ekonomike që ka pasur qeveria e tij gjatë katër viteve të fundit.
Duke ironizuar premtimet e LDK-së, Murati tha se ato mund të konsiderohen vetëm si “humor i pashije”.
Ai shtoi se ekonomistët e LDK-së, si Lumir Abdixhiku, duhet të konsultohen me kolegët e tyre, përfshirë deputetin Avdullah Hoti, që ishte Ministër i Financave në kohën kur ky ligj u miratua, për të kuptuar më mirë kufizimet që i vendos ligji për rritjet e pagave. /Kosova.info/