Arifi: Raporti i Progresit thotë se nuk jemi mirë në rrugën evropiane

Ish ambasadori, Avni Arifi i ka cilësuar të gjeturat e Raportit të Progresit të publikuara nga Komisioni Evropian si një nga raportet më negative që Kosova ka pranuar.

“Raporti i Progresit është ndoshta një mekanizëm në mënyrë që ta shohim veten se si na shohin të tjerët. Në këtë rast, raporti thotë se ne nuk jemi mirë në rrugën evropiane. Si tërësi nuk ke ndryshe si ta vlerësosh pos si negativ, që ndonëse flet për progres të kufizuar dhe nëse e krahason me vendet e rajonit, atëherë mund ta shohësh se ne nuk kemi filluar as procesin e integrimeve evropiane”, tha Avni Arifi në emisionin “Info Plus” të RTK-së.

Sipas tij, në asnjë rresht të Raportit të Progresit, Qeveria e Kosovës nuk ka hapësirë që të lavdërohet me diçka.

“Ka degradim. Përveçse nuk ka progres në temat sektoriale, pothuajse në secilën prej tyre është në fazë të hershme të përgatitjes. Kjo nënkupton që nuk ka asnjë lloj infrastrukture ligjore. Me iniciativa Kosova nuk mund të shkojë përpara. Fryma e përgjithshme e raportit është shumë më negative se sa e raporteve të mëhershme“, ka thënë Arifi.

Ndërkaq duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Arifi tha se nuk duket se do të ketë një iniciativë serioze në këtë drejtim.

“Për një iniciativë me të vërtetë serioze mund të presim qeverinë e re në fillim të marsit, dhe atëherë pres një përballje të fuqishme të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me procesin e dialogut dhe do të jetë shumë e vështirë për të dy palët që mos të shënojnë progres në implementimin e marrëveshjeve ”, tha ai.

Arifi theksoi se viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm ku shumë tema rreth dialogut do të përmbyllen.

Go to TOP