MPB: Nga 10 maji fillon konvertimi i patentë shoferëve në RKS

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët, se nga data 10 maj 2024 do të fillojë procesi i konvertimit të patentë shoferit të lëshuar nga strukturat jo legale serbe në patentë shoferi të Republikës së Kosovës. Kjo procedurë do të zgjasë deri me 9 gusht 2024, njofton MPB.

“Të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferë të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në ueb faqen  https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë këto dokumente: “Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës; Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe; Certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer”.  

Certifikata shëndetësore po ashtu duhet të lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: Për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është njëzetë euro (20.00€);  

Për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është pesëdhjetë euro (50.00€)”, njofton MPP.

Po ashtu kërkohet dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe “Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”. /Kosova.info/

Go to TOP