350 kandidatë iu nënshtruan testit kualifikues për 24 prokurorë të rinj

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) organizoi mbajtjen e Testit Kualifikues, në kuadër të procesit të rekrutimit të njëzetekatër (24) prokurorëve të rinj të Republikës së Kosovës, i cili është mbajtur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Ky test është zhvilluar në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve ndërkombëtarë të EULEX-it dhe OSBE-së, me ç’rast paraprakisht sot Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit hartoi pyetjet për kandidatët që fituan të drejtën për të marrë pjesë në këtë testim.

Në këtë test morën pjesë 350 kandidatë, prej tyre 192 meshkuj dhe 158 femra, prej të cilëve tre janë pjesëtarë nga radhët e minoriteve, dy boshnjakë dhe një turk, që kanë aplikuar përmes sistemit online të menaxhimit të dosjeve dhe përmes dorëzimit të kopjeve fizike, me email dhe postë të rregullt.  

Në këtë proces të rekrutimit kanë qenë të rezervuara katër pozita për minoritetin serb, por nuk ka pasur asnjë aplikacion.

Me këtë rast, Kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Blerim Isufaj, së bashku me anëtarët e tjerë, ka mbikëqyrë rrjedhën e plotë të mbajtjes së Testit Kualifikues.     

Rrjedhimisht, në kuadër të monitorimit dhe vëzhgimit të këtij procesi ishin edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorë të prokurorive të vendit, prokurorë të deleguar nga Prokuroria e Apelit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, prokuroritë themelore dhe përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë nga radhët e EULEX-it dhe OSBE-së.

Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit është duke vazhduar punën në vlerësimin e të gjitha testeve dhe pas përfundimit të vlerësimit të tyre sipas rregullores do të publikohet lista e kandidatëve të cilët kanë kaluar testin dhe lista e kandidatëve që nuk kanë kaluar testin.

Në vijim do të organizohen edhe fazat e tjera të testimit sipas standardeve më të avancuara, të cilat përbëhen nga testi me shkrim dhe intervistimi i kandidatëve. /Kosova.info/

Go to TOP