Mishetiq për ZPS-në: Po e diskrediton dëshmitarin Bashota, për këtë duhet të ketë leje
Avokati, Luka Mishetiq i cili udhëheq ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit ka kundërshtuar prokurorinë në një pjesë duke thënë se po e diskrediton dëshmitarin Sokol Bashota.
“Tani kjo është diskreditim i dëshmitarit nga ajo çfarë është dhënë në dëshmi sepse është dëshmi thelbësore”, tha Luka Mishetiq, i cili citoi rregullore dukë thënë se për këtë gjë duhet të merret leje.
Kjo deklaratë e Mishetiq erdhi kur dëshmitarit iu prezantua një deklaratë e Rexhep Selimit ku fliste për aksionet që kishte organizuar UÇK-ja më 1997-ën.
“Rexhep Selimi thotë si më poshtë: Pas këtyre te treve kishte edhe disa persona të tjerë të cilët janë sjell nga Hashim Thaçi dh e Kadri Veseli në Jabllanicë. Pra, shtatë murtaja dore u sollën aty nga ata dy. Ne, kishim 11 prej tyre kishim edhe 3 të tjera të cilat kanë ardhur në forma të tjera dhe i bëmë 14 për t’i përgatitur 14 aksionet e 11 shatorit 1997. Deri në atë ditë ne nuk kemi përdorur asnjërën prej këtyre mortajave, ndonëse kishim nevojë t’i përdornim, me qëllim që Serbia të mos merrte masa sepse në atë kohë llogarisnim se kjo është një armë e madhe dhe dëshironim ta zinim Serbinë në befasi ashtu siç e zumë duke organizuar një aksion shumë të fuqishëm dhe të sinkronizuar në shtator të vitit 1997. I patëm 14 murtaja dhe i bëmë 14 aksione. Sikur t’i kishim 20 murtaja do t’i kishim bërë 20 aksione” citoi prokurori deklaratën e Rexhep Selimit.
Më pas, prokurori iu kthye dëshmitarit Bashota duke e pyetur se a ishte i njohur me aksionet e sinkronizuara në stacionet apo rajonet e Policisë që janë pashkruar nga Rexhep Selimi.
“Kjo është një intervistë të cilën nuk po muj me e paragjyku se a është glorifikuese apo jo? Apo ka dasht që me e paraqit një organizim më të mirë të asaj kohe, por unë pjesë e këtyre sulmeve nuk kam qenë. Aksione kanë ndodhur me sa di, por që të jenë të sikronizume dhe kështu kaq shumë njëkohësisht nuk e mbaj mend”, tha Bashota.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një komunikatë për çka u pyet se a e njeh si të UÇK-së.
“Jo s’po me kujtohet”, u përgjigj dëshmitari.
Sipas prokurorit, fillimi i kësaj komunikate thoshte se më 11 dhe 12 shtator 1997, me vendim të Shtabit të Qendror, njësitet e armatosura të UÇK-së kryen një aksion të sinkronizuar në Zonën Operative numër 1. Ai tha se komunikata tregon që sipas tyre aksionet janë kryer me një shpejtësi shumë të madhe në disa stacione policore.
Pasi përfundoi citimin, prokurori i tha dëshmitarit se ai ka thënë që Rexhep Selimi nuk e ka pasur mundësinë që të bëjë ndonjë gjë në Shtabin Qendror në vitin 1997.
“Po, sipas informacioneve të mija se ne s’kemi nejt në atë kohë, s’jemi takuar me të shpesh”, tha Bashota.
Duke vijuar në pyetjen e radhës, prokurori u kundërshtua nga mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
“Tani kjo është diskreditim i dëshmitarit nga ajo çfarë është dhënë në dëshmi sepse është dëshmi thelbësore.
Po ashtu, të njëjtin kundërshtim e pati edhe mbrojtja e Selimit e përfaqësuar nga avokati Geoffrey Roberts.
“Edhe unë kundërshtoj se janë pyetje që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Nuk ka dëshmi që jepen sa i takon rolit të z.Selimi në Shtabin Qendror deri tani”, tha ai.
Ndërsa, Halling tha se këtë çështje mund ta trajtoj mbrojtja gjatë kundër pyetjeve të saj.
“Për këtë gjë po pyesim dëshmitarin që të komentoj. Këto janë tema që nëse doni t’i shtroni më teje mund t’ i pyesni gjatë pyetjeve tuaja”, tha ai.
Pas prokurorit, Mishetiq mori serish fjalën duke thënë se dëshiron që të bëjë koment procedural, duke shtuar se Prokurori apo e diskrediton dëshmitarin dhe që se pari duhet të kërkohet leje për diskreditimin e tij.
“Mënyra se si e kuptoj unë është që Prokuroria po e diskrediton dëshmitarin lidhur me paragrafin 5, por qëndrimi ynë është që diskreditimi konkretisht parashikohet me Rregullën 243. Sipas interpretimeve të dhëna nga ky trup gjykues sa i takon një deklarate që përben objekt diskreditimi sipas rregullës 243. Kjo përcaktohet ose thënë më qartë që është precedenti i këtij trupi gjykues që ka përcaktuar që është një deklaratë e dhënë në kontekstin e një hetimi penal. Qëndrimi ynë është që se pari duhet të kërkoni leje për diskreditimin e dëshmitarit sipas rregullës 243 dhe se dyti; nuk mund të përdorni një material të ngjashëm më këtë për të diskredituar dëshmitarin, mbështetur në atë se çfarë ka përcaktuar trupi gjykues së çfarë përben diskreditim të një dëshmitari”, tha Mishetiq.
Si rrjedhojë, kryegjyqtari Charles Smith III pyeti prokurorin se a synojnë që ta diskreditojnë dëshmitarin.
“Do të thoja jo akoma, megjithëse në atë drejtim po shkojmë. Për momentin duam të mundohemi që të eksplorojmë më tepër për atë se çfarë di dëshmitari lidhur me këtë incident”, tha Prokurori e që kryegjyqtari ia ktheu se ashtu e kishte kuptuar edhe vetë ai.
Kurse, Mishetiq tha se një palë nuk mund të kërkojë diskreditim të një dëshmitari në rast që nuk kërkohet autorizimi sipas një rregulle specifike.
“Qëndrimi ynë është se kur një palë e thërret një dëshmitarë dhe i parashtron dëshmitë e dëshmitarit dhe kërkon dëshmi të drejtpërdrejtë nga dëshmitari, pala në qoftë se nuk autorizohet sipas rregullës 243 nuk mund të kërkojë diskreditimin sepse mendohet që dëshmitari thotë të vërtetën sa i takon përmbajtjes së tij”, tha Mishetiq.
Si rrjedhojë, Mishetiq kërkoi që thjeshtë të bëhet i qartë pozicioni i Prokurorisë.
“Ne rezistojmë në këtë pjesën hipotetike, por megjithatë kur të kalojmë tek pjesa praktike do ta bëjmë të qartë atë”, tha Prokurori.
Përpara krejt kësaj, dëshmitari u pyet se kush ishin anëtarët e Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare Të Kosovës në kohën kur zhvilloheshin aksionet e para.
“Në Shtabin Qendror ka qenë Azem Syla, unë, Xhavit Haliti, Nait Hasani, me duket edhe Ali Ahmeti”, tha ai por përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se a bënte pjesë në këtë strukturë edhe Xheladin Gashi.
Më pas, dëshmitari tha se emri i tij si pjesë e Shtabit Qendror ishte propozuar nga vetë Xheladin Gashi.
“Në atë kohë është kërkuar nga Xheladin Gashi që të jepen tre emra brenda Kosovës dhe tre emra jashtë Kosovës për këtë Shtab Qendror. Ai e ka dërguar emrin tim dhe emrin e Nait Hasanit, ndërsa atje kemi mësuar se atje është Azem Syla, Xhavit Haliti dhe me duket Ali Ahmeti”.
Vlen të theksohet se parashtrimet e tij, Mishettiq e po ashtu përgjigjet e saj ZPS-ja i bënë në sallën e gjyqit pa praninë e dëshmitarit.