MFPT: Përgjegjësia për pagat dhe shtesat, te organizatat buxhetore
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me ekzekutimin e pagave dhe shtesave të tjera për punëtorët e sektorit publik duke ofruar një sqarim rreth procedurave dhe përgjegjësive institucionale.
Në njoftimin e saj, MFPT thekson se përgatitja e listave të pagave dhe sigurimi që shumat e urdhëruara për pagesë janë brenda kufijve buxhetorë të miratuar, është përgjegjësi ekskluzive e organizatave buxhetore përkatëse.
“Ministria, përkatësisht Thesari, vetëm verifikon që shumat për pagesë janë në përputhje me ndarjen buxhetore dhe realizon procesimin e pagesave në llogaritë individuale të përfituesve,” thuhet në sqarim.
MFPT nënvizon se çdo organizatë buxhetore ka për obligim të planifikojë me kujdes buxhetin vjetor, duke ndarë mjetet proporcionalisht për çdo muaj dhe duke siguruar që shtesat mbi pagën bazë të jenë të mbuluara brenda buxhetit të aprovuar. Sipas Ministrisë, tejkalimi i ndarjes mujore buxhetore mund të çojë në pamundësi për ekzekutimin e plotë të pagave dhe shtesave.
“Thesari ka njoftuar me kohë të gjitha organizatat buxhetore që të respektojnë kufijtë buxhetorë dhe të planifikojnë pagesat në përputhje me dispozitat ligjore,” thuhet në komunikatë.
Ministria e Financave ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje teknike dhe këshillimore për të gjitha organizatat buxhetore, në mënyrë që planifikimi buxhetor të bëhet në kohë dhe me përpikëri, duke parandaluar përsëritjen e këtyre situatave në muajt në vijim.
“MFPT mbetet e përkushtuar që puna dhe angazhimi i të gjithë të punësuarve të kompensohet në përputhje me ligjin dhe planifikimet buxhetore të miratuara,” përfundon sqarimi.
