Kampioni i botës mbetet jashtë SHBA-së, Capdevila i kërkon ndihmë Trumpit
Ish-mbrojtësi i Spanjës, Joan Capdevila, ka përjetuar një situatë të papritur para finales së Kupës së Botës 2026, pasi i është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kampioni i botës me Spanjën në vitin 2010 kishte planifikuar të udhëtonte drejt SHBA-së për të ndjekur nga afër finalen mes Spanjës dhe Argjentinës në stadiumin MetLife Stadium, New Jersey, së bashku me ish-shokët e skuadrës dhe familjen e tij.
Megjithatë, Capdevila ka bërë të ditur se kërkesa e tij për autorizimin elektronik të udhëtimit ESTA është refuzuar, duke e lënë atë në rrezik për të humbur një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e futbollit.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ish-futbollisti spanjoll i ka kërkuar ndihmë presidentit amerikan Donald Trump.
“Kam nevojë për ndihmë. Sapo mësova se nuk mund të udhëtoj për në finale me fëmijët e mi, sepse ESTA ime u refuzua. Nuk mund ta besoj që nuk do të më lejojnë të hyj në SHBA. Do të humbas një moment të jashtëzakonshëm me fëmijët e mi, të cilët e duan shumë futbollin”, shkroi Capdevila.
Ai gjithashtu ka etiketuar edhe Ministrinë spanjolle të Arsimit, Trajnimit Profesional dhe Sporteve, duke kërkuar ndihmë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Capdevila, ish-lojtar i Villarrealit dhe Atletico Madridit, shpreson që situata të zgjidhet në kohë dhe të jetë i pranishëm në finalen e madhe, ku Spanja do të përballet me Argjentinën për trofeun e Kupës së Botës.
