LBK kundërshton paralajmërimin për rritjen e tarifave të energjisë: Dëm ekonomik për bizneset dhe qytetarët

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për një rritje të mundshme prej 15% të tarifave të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë propozim si të papranueshëm dhe ekonomikisht të dëmshëm për vendin.

Në reagimin zyrtar, LBK shpreh shqetësimin e thellë për ndikimin që ky vendim do të ketë mbi ekonominë e brishtë të Kosovës, sektorin privat, prodhimin vendor dhe mirëqenien e qytetarëve. Sipas tyre, rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë periudhë të vështirë do të përkeqësojë më tej situatën ekonomike dhe do të rrisë barrën financiare për bizneset dhe konsumatorët.

“Rritja e tarifave të energjisë elektrike përbën një goditje të rëndë për sektorin privat, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove të prodhimit, uljen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore dhe rritjen e çmimeve për konsumatorët fundorë. Kjo masë do të dekurajojë investimet, do të shtojë pasigurinë në treg dhe rrezikon të përkeqësojë bilancin tregtar të vendit,” thuhet në reagimin e LBK-së.

Ky shqetësim bazohet edhe në të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin shkurt 2025, të cilat tregojnë për: rënie të eksporteve prej -8.9% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar dhe rritje të importeve me +12.7%.

Sipas LBK-së, ky disbalancë tregon qartë dobësimin e sektorit të prodhimit vendor, i cili tashmë përballet me mungesë të përkrahjes, kosto të lartë të lëndës së parë dhe fuqisë punëtore, e që do të rëndohet edhe më shumë nga rritja e tarifave të energjisë.

LBK paralajmëron se, përveç sektorit privat, pasojat do të ndihen edhe nga qytetarët përmes: rritjes së çmimeve të produkteve bazë; zvogëlimit të fuqisë blerëse dhe rritjes së papunësisë si pasojë e vështirësive financiare të bizneseve.

Në fund të reagimit, LBK i bën thirrje ZRrE-së që: rë tërheqë menjëherë propozimin për rritjen e tarifave; të zhvillojë konsultime gjithëpërfshirëse me komunitetin e biznesit dhe palët e interesuara dhe të shqyrtojë me përgjegjësi pasojat ekonomike dhe sociale që ky vendim mund të shkaktojë.

“Kosova ka nevojë për politika që nxisin zhvillimin ekonomik dhe fuqizojnë sektorin privat, jo për masa që rëndojnë më tej situatën e vështirë ekonomike,” përfundon reagimi i LBK-së. /Kosova.info/


Go to TOP