Me kërkesë të MPB, MD nis punën për ndryshim/plotësimin e Kodit Penal

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka filluar punën Grupi punues për ndryshim/plotësimin e Kodit Penal të Kosovës.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se përmirësimi i sistemit të drejtësisë, përkatësisht drejtësisë penale është detyrë e rëndësishme.

Tutje, zëvendësministri Sallahu tregoi se iniciativa për ndryshim/plotësimin e Kodit Penal të Kosovës ka ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të cilët kanë propozuar heqjen e disa dënimeve alternative, harmonizimin e neneve përkatëse të Kodit me aktet relevante ndërkombëtare, si dhe harmonizimin e neneve brenda vet Kodit, përfshirë këtu riformulimin e një pjese të tyre.

Zëvendësministri Sallahu tha se heqja e dënimeve alternative përfshirë ato me gjobë dhe ashpërsimi i disa dënimeve kryesore do të siguroj se drejtësia shërben si një mjedis korrektues, duke ofruar mundësi për riedukim për personat e dënuar.

“Ndërsa sa i përket ndryshim/plotësimeve për veprat penale në fushën e aviacionit civil, zëvendësministri Sallahu tha se mund të sigurojmë që Kodi Penal të reflektojë realitetin aktual dhe të jetë i pajtueshëm me standardet ndërkombëtare të sigurisë ajrore”, ka thuhet në njoftim.

Sallahu është shprehur se beson se përmes punës së përbashkët do të arrihen rezultate të mira në ndryshim/plotësimin e Kodit Penal të Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP