Me bekimin e Erdoganit, Tirana bëhet gati për hapjen e Xhamisë së Namazgjasë
Në Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë po bëhen përgatitjet e fundit për përurimin e saj, që do të zhvillohet të enjten në praninë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ndërtimi i xhamisë – me vlerë rreth 30 milionë euro – u financua nga Kryesia e Çështjeve Fetare e Turqisë dhe Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare i Turqisë.
Në fasadën e objektit fetar janë vendosur tashmë flamuj të Turqisë dhe të Shqipërisë.
Një ditë më parë, Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) njoftoi për përurimin që pritet, por e la të paqartë se kush do ta administrojë atë që njihet edhe si Xhamia e Madhe e Tiranës.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë, gjithashtu, edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët mes KMSH-së dhe palës tjetër, që do ta administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej”, thuhet në njoftimin e KMSH-së.
Të pyetur se kush është “pala tjetër”, nga zyra e shtypit në KMSH thanë se “është Turqia”.
Po një ditë më parë, mediat përcollën lajmin se Ministria e Çështjeve Fetare në Turqi e ka caktuar tashmë imamin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë dhe se bëhet fjalë për Enes Basturin.
Ai e shpërndau vetë këtë lajm në rrjetet sociale, por më pas e fshiu postimin.
Ky lajm dhe njoftimi i KMSH-së u pasuan me një njoftim të Myftinisë së Tiranës, ku theksohet se imam zyrtar i kësaj xhamie do të jetë drejtuesi i Myftinisë së Tiranës.
“Hapjen e xhamisë do ta nderojë edhe myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, si imami zyrtar i Xhamisë së Madhe të kryeqytetit, njëkohësisht dhe kreu i Fondacionit që do të jetë autoriteti i vetëm administrues i këtij kompleksi”, thuhet në njoftimin e Myftinisë.
Aty thuhet, po ashtu, se Myftinia falënderon popullin turk dhe presidentin Erdogan “për kontributin e tyre historik në përkrahje të nevojave të Shqipërisë dhe popullit shqiptar”.
Fondacioni për të cilin flasin KMSH-ja dhe Myftinia e Tiranës nuk dihet se kë ka në përbërje të tij, por vetëm kryesuesi.
Në shtator të këtij viti u bë publike në media një letër e KMSH-së, ku theksohej se ky institucion jep pajtimin që Xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni, i cili do të jetë “autoriteti i vetëm në këtë aspekt” dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij “marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë, si dhe të kompleksit përreth saj”.
Në atë letër thuhej se “kryetari i Fondacionit ka të drejtën ta përfaqësojë atë përpara të tretëve, si dhe të drejtën për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin”.
Një prej besimtarëve, njëkohësisht drejtues i një tjetër xhamie në Tiranë, Lulzim Plloçi, thotë se përurimi i Xhamisë së Madhe është një lajm i gëzueshëm.
“Një xhami e tillë do ta zbukurojë aktivitetin fetar në vend. Duke qenë xhamia më e madhe në Ballkan, ajo e bën Shqipërinë edhe më të veçantë. Do t’i plotësojë shumë nevoja dhe do të ofrojë shumë shërbime për besimtarët dhe praktikantët myslimanë”, thotë Plloçi për Radion Evropa e Lirë.
“Sërish nuk e plotëson nevojën për t’i zënë të gjithë besimtarët – për shembull në faljen e namazit të Bajramit – ndërkohë që numri i besimtarëve rritet, por është gëzim i madh që pas kaq vitesh kjo xhami hapet”, shton ai.
Sipas tij, zyrtarisht dihet që xhaminë do ta drejtojë imami i Myftinisë së Tiranës, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe një imam turk.
“Një xhami kaq e madhe sigurisht që do të kishte nevojë për më shumë se një imam, apo një myezin, apo më shumë se një funksionar. A mund të jetë një imam i dytë turk, apo arab? Nuk ka asgjë të keqe, do ta shtonte bukurinë e kësaj xhamie, duke mos harruar se populli turk, shteti turk është investitori i kësaj xhamie”, thotë Plloçi.
Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga presidenti turk, Erdogan.
Punimet u tha se do të përfundonin për tre vjet, por, në fakt, për to u deshën rreth nëntë vjet.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë.
Pjesë e saj janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa, salla e konferencave etj.
Nëse në krye të xhamisë më të madhe në Shqipëri do të caktohej edhe një imam turk, kjo nuk do të ishte hera e parë që një objekt kulti në këtë vend do të drejtohej nga shtetas të huaj.
Kisha Ortodokse në Shqipëri, prej shumë vitesh, drejtohet nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i ardhur nga Greqia.
Po ashtu, dioqezat e Kishës Katolike, ndër vite, janë drejtuar nga priftërinj italianë.