Martinez: Veprimi i Ronaldos të tregohet në të gjitha akademitë e futbollit

Pas fitores mbresëlënëse 3:0 ndaj Turqisë në Dortmund, trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, shprehu kënaqësinë e tij për paraqitjen e skuadrës dhe theksoi rëndësinë e vetëkontrollit dhe vetëmohimit në lojë. Kjo fitore siguroi kualifikimin e Portugalisë në 1/8 e finales të Euro 2024.

“Unë mendoj se luajtëm në të njëjtin nivel si kundër Çekisë, por kësaj radhe shënuam të parët. Turqia e nisi mirë, por ne qëndruam fort dhe sapo shënuam, kontrolluam lojën. Tani mund t’u japim mundësi lojtarëve të tjerë nga bankina – ata e meritojnë këtë”, tha Martinez.

Përkundër rezultatit bindës, Martinez tha se kjo nuk ishte ndeshje e lehtë. “Mendoj se Turqia ka talent të jashtëzakonshëm, por ne i ndaluam ata të luanin. Ritmi i lartë e vendosi ndeshjen në duart tona. Ne mbajtëm fokusin dhe përqendrimin në mbrojtje. Jam i kënaqur që arritëm të ruajmë portën e paprekur”, tha ai.

Martinez më pas ka komentuar edhe paraqitjen e veteranit Pepe: “Një tifoz neutral që e shikon Peppen duke luajtur, nuk do ta besonte që është 41 vjeç! Ai është një shembull i shkëlqyer i futbollit portugez. Ai është një profesionist për 24 orë në ditë – stërvitet, fle mirë. Fokusi i tij është të luajë edhe për një vit tjetër, pastaj edhe një tjetër. Pastaj është dashuria për lojën dhe gjenetika – nuk mund t’i blesh ato!”.

Në fund, trajneri portugez nuk ka lënë pa komentuar edhe Cristiano Ronaldon. “Mendoj se pamë diçka shumë të veçantë sot. Një sulmues i madh del një kundër një me portierin dhe kërkon të japë asist. Çfarë shembulli i shkëlqyer! Ky veprim duhet të tregohet në akademitë e futbollit anembanë Portugalisë, një vetëmohim i Ronaldos dhe një dëshmi që ai gjithmonë është për skuadrën”.

Go to TOP