Manxhuka: VV i dha opozitës opsione për buxhetin, por ata zgjodhën bllokadën që nga 15 prilli
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas votimit të bartjes së të hyrave vetanake në Asamblenë e Prishtinës duke deklaruar se opozita ka qenë ajo që ka bllokuar procesin buxhetor për muaj me radhë.
Manxhuka tha se që nga 30 tetori, Vetëvendosje u ka ofruar opsione të shumta subjekteve opozitare për të mundësuar votimin e buxhetit të Prishtinës, por sipas tij, refuzimi ka qenë i plotë. “Refuzimi ka qenë në bllok. Njëjtë vepruan edhe me buxhetin 2026 për vendin, për RTK-në dhe për marrëveshjet ndërkombëtare,” theksoi ai.
Ai e përshëndeti faktin që kryetari Përparim Rama, sipas tij, sot iu kthye procedurave ligjore në Kuvendin Komunal duke mundësuar kalimin e bartjes buxhetore. “Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e votoi bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës,” deklaroi Manxhuka.
Zëdhënësi i VV-së akuzoi opozitën – përfshirë LDK-në që udhëheq kryeqytetin – për një qasje të pakuptimtë dhe destruktive. “Që prej 15 prillit, opsioni i vetëm që kanë dhënë është bllokada,” u shpreh ai duke theksuar se taktikat afatshkurtra politike janë vënë mbi interesin e përgjithshëm.
Manxhuka kërkoi që proceset buxhetore të mos keqpërdoren për qëllime politike dhe paralajmëroi se qytetarët janë ata që pësojnë më së shumti nga qasjet bllokuese të partive opozitare. /Kosova.info/
