Lushaku-Sadriu: VV votoi bartjen buxhetore nga frika e protestave dhe ndëshkimit më 28 dhjetor

Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër pas votimit të bartjes buxhetore në Asamblenë e Prishtinës duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka bërë këtë hap vetëm nga presioni publik dhe frika e ndëshkimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“VV votoi sot bartjen buxhetore të Prishtinës, se nuk pat qare,” tha Lushaku-Sadriu duke kujtuar se sipas saj, kjo parti historikisht ka bojkotuar seancat dhe ka refuzuar të votojë buxhetin, madje edhe me skena të rënda në Kuvend. “A po menoni që qytetarët e harrojnë që pa protesta VV as në seanca nuk vinte me votu buxhetin? A nuk ju kujtohet shefi juj qysh i ka shkulë mikrofonat në seancë për buxhetin?”.

Ajo theksoi se Vetëvendosje u detyrua të votojë vetëm pasi pa reagimin e qytetarëve dhe pakënaqësinë e tyre të shprehur ditëve të fundit. “Kur e patët që qytetarët protestuan e dojnë me ju dënu më 28 dhjetor, erdhët dhe i votuat,” u shpreh nënkryetarja e LDK-së.

Lushaku-Sadriu gjithashtu akuzoi VV-në për sabotim dhe bllokim të proceseve institucionale duke shtuar se fajësimet për keqmenaxhimin nuk vijnë vetëm nga opozita. “Qytetarët kanë me ju detyru me ikë prej pushtetit, se jeni sabotues e bllokues; për ma shumë jeni hajna: s’po e them unë, po kallxoi Beqir Lahu sot, asambleisti i VV-së,” tha ajo. /Kosova.info/


Go to TOP