Lugina e Preshevës, strehë për të arratisurit nga drejtësia e Kosovës
Burime nga terreni dhe dëshmi të banorëve lokalë po tregojnë se Lugina e Preshevës , përfshirë komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, po përdoret gjithnjë e më shumë si vendstrehim për persona të kërkuar nga drejtësia në Kosovë.
Sipas të dhënave jozyrtare, dhjetëra qytetarë nga Kosova, të përfshirë në vepra të rënda kriminale, përfshirë trafikim, vrasje dhe korrupsion, kanë gjetur një “zonë të sigurt” në këto territore, ku autoritetet serbe nuk i dorëzojnë palës kosovare.
Analistët e sigurisë thonë se situata është rezultat i mungesës së bashkëpunimit juridik mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar një boshllëk ligjor që shfrytëzohet nga kriminelët. Kjo gjendje, sipas tyre, jo vetëm që rrezikon stabilitetin lokal, por edhe pengon përpjekjet për sundim të ligjit në të dyja anët e kufirit.
Banorë të Luginës shprehen të shqetësuar se ky fluks personash me precedent penal po ndikon negativisht në sigurinë dhe jetën e përditshme, ndërsa kërkojnë nga institucionet ndërkombëtare të ndërhyjnë për të zgjidhur këtë problem./ Kosova.info
