Lladrovci: Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët, i presim fitimtarë në Kosovë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke theksuar se vendimi i vetëm i drejtë është lirimi i tyre.

Përmes një reagimi publik, Lladrovci u shpreh se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë “heronj të luftës dhe paqes”, të cilët, sipas tij, po zhvillojnë betejën e fundit për Republikën e Kosovës dhe për pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai theksoi se lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi i Kosovës u zhvilluan në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë duke kujtuar edhe njohjet ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Lladrovci vlerësoi se fisnikëria, guximi dhe sakrifica e ish-krerëve të UÇK-së janë dëshmi e lidershipit të tyre duke shtuar se qytetarët i presin ata “fitimtarë, të lirë dhe krenarë” në Kosovë.

Në fund, ai komentoi shtyrjen e shpalljes së vendimit nga maji dhe korriku në shtator duke thënë se kjo, sipas tij, është një argument se “vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët”. /Kosova.info/


Go to TOP