Lavdi martirëve të Mejës: Miqtë e grupit të futbollit përkujtojnë sakrificat për lirinë

Sot, bashkë me disa nga miqtë e grupit të futbollit dhe në emër të të gjithë miqve të grupit, ishim në Akademinë Përkujtimore dhe në vizitë tek varrezat e martirëve në Mejë, për t’u përkulur me respekt para atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë.

27 prilli mbetet një datë reflektimi, dhimbjeje dhe krenarie, një rikujtim se liria që sot e gëzojmë ka ardhur me sakrifica të mëdha. Për shumë familje shqiptare, kjo datë nuk është vetëm histori, por plagë e hapur dhe kujtim i përhershëm.

Gjatë vizitës, miqtë u përkulën me nderim para varreve të martirëve. Mendimet dhe lutjet tona shkuan veçanërisht te familjet e dëshmorëve dhe martirëve, me theks të veçantë te miqtë tanë Bekim Hasanaj dhe Petrit Hasanaj, të cilët kanë familjarë të martirizuar në Mejë.

“Dhimbja e tyre është edhe e jona. Kujtimi për të rënët na bashkon si njerëz dhe si miq”, thuhet në mesazhin e grupit. Tragjedia e familjes Hasanaj dhe e shumë familjeve të tjera merr përmasa edhe më të dhimbshme, pasi ende sot jetojnë me shpresën: “Edhe sot i presim të na kthehen…”

Lavdi e përjetshme martirëve të Mejës dhe të gjithë dëshmorëve. Kujtimi për sakrificën e tyre mbetet amanet i përhershëm për liri, dinjitet dhe drejtësi. /Kosova.info/


Go to TOP