Lansohet ‘250 vjet SHBA’, Prattipati: Pullë postare me rëndësi të veçantë

Posta e Kosovës ka lansuar emisionin e pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se pulla që u emetua sot është afirmim simbolik i partneritetit të fortë dhe raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve.

“Pulla të cilën po e emetojmë sot është nder për një përvjetor tranzicioni, por aleanca jonë e bazuar në vlera universale si liria dhe barazia, paqja dhe demokracia është e përhershme. Me këtë rast urojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 250-vjetorin e pavarësisë dhe popullit amerikan një ditë të pavarësisë të gëzuar. Dhe mbi të gjitha urojmë që miqësia ndërmjet vendeve tona të vazhdojë për gjithmonë”, deklaroi Kurti.

Kurti shtoi se mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën ka qenë vendimtare në proceset shtetndërtuese dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike.

Prattipati: Amerikanët e Kosovarët qëndruan bashkë, në sfida e mundësi

Anu Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se ky emision i pullave është deklaratë e qartë që dy shtetet ndajnë vlerat dhe historinë e përbashkët.

 “Marrëdhëniet ndërmjet kombeve tona nuk janë vetëm në nivel diplomatik, janë në nivel personal dhe praktik. Amerikanët dhe kosovarët kanë qëndruar së bashku në kohë të sfidave dhe të mundësive. Pra anëtarët tanë që kanë punuar dhe kanë ofruar shërbime, studentët dhe ndërmarrësit kanë krijuar dhe ndërtuar lidhje të forta, reale dhe të qëndrueshme. Vendimi i Kosovës për të emetuar këtë pullë postare, një nga të parat në mbarë botën të këtij lloji, ka një rëndësi tepër të veçantë”, tha ajo.

Prattipati deklaroi se Kosova është vendi ku shihen të reflektuara idealet e SHBA-ve.

Rraci: Shprehim mirënjohjen për aleatin e palëkundur të Kosovës

Nora Rraci, kryeshefe ekzekutive e Postës së Kosovës tha se kjo pullë postare nuk është veç moment nderimi të historisë amerikane, por edhe mirënjohje kosovare për partneritetin.

“Kjo pullë bëhet me domethënie të veçantë për vendin tonë. Ajo simbolizon miqësinë e qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një partneritet i ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe mbështetjes reciproke. Përmes këtij promovimi, ne jo vetëm që nderojmë një moment të madh historik për popullin amerikan, por shprehim edhe mirënjohjen tonë për një aleat dhe mik të palëkundur të Kosovës”, tha ajo.

Go to TOP