Scaloni: Nuk varemi vetëm nga Messi
Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka kërkuar përqendrim maksimal nga futbollistët e tij para përballjes me Kepin e Gjelbër në 1/16 e finales së Kupës së Botës 2026, duke theksuar se kampionët në fuqi nuk duhet ta nënvlerësojnë aspak kundërshtarin.
Argjentina e mbylli me sukses fazën e grupeve dhe konsiderohet favorite absolute për të avancuar më tej, por Scaloni insiston se ndeshjet me eliminim direkt nuk lejojnë asnjë gabim.
“Jemi në një moment të mirë, por tani diferencat janë shumë të vogla. Kjo është një ndeshje ku, nëse humbet, eliminohesh. Ne e dimë këtë shumë mirë”, deklaroi Scaloni.
Tekniku argjentinas vlerësoi paraqitjet e Kepit të Gjelbër, i cili u bë kombëtarja më e vogël për nga popullsia që ka arritur ndonjëherë në fazën me eliminim direkt të një Kampionati Botëror.
“Ata janë një skuadër e mirë. I kemi analizuar prej kohësh dhe nuk jemi të befasuar që kanë arritur deri këtu. Nuk janë këtu rastësisht. I respektojmë dhe do ta përgatisim ndeshjen me seriozitet maksimal.”
Scaloni shtoi se skuadra afrikane është shumë e organizuar në mbrojtje dhe e rrezikshme në kundërsulme.
“Ndaj Arabisë Saudite meritonin fitoren, ndërsa kundër Spanjës dhe Uruguait u mbrojtën shumë mirë. Mbyllin hapësirat në qendër dhe janë shumë të rrezikshëm në tranzicion. Kanë futbollistë cilësorë.”
I pyetur për faktin se Lionel Messi ka realizuar gjashtë nga tetë golat e Argjentinës në këtë Botëror, Scaloni hodhi poshtë pretendimet se skuadra varet vetëm nga kapiteni i saj.
“Messi është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe natyrisht gjithçka që bën ai bie më shumë në sy. Por ne kemi edhe sulmues të tjerë. Krijojmë shumë raste dhe, pavarësisht nëse luan me Julian Alvarezin apo Lautaro Martinezin, synimi ynë është që të gjithë sulmuesit të kontribuojnë me gola”, theksoi ai.
Messi pritet të rikthehet në formacionin titullar ndaj Kepit të Gjelbër, pasi u pushua në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Megjithatë, Scaloni nuk deshi të komentojë sa minuta mund të luajë 39-vjeçari, duke theksuar se gjithçka do të varet nga rrjedha e ndeshjes dhe gjendja e tij fizike.
Ndeshja mes Argjentinës dhe Kepit të Gjelbër luhet të shtunën.
