Rama: Kosova po izolohet, po humb fonde e vende pune – rasti i Vitës është alarm

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti se me politikat e saj po e çon Kosovën drejt izolimit ndërkombëtar, humbjes së fondeve dhe dëmtimit të ekonomisë vendore.

Sipas Ramës, Bashkimi Evropian po i ridrejton fondet drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet nën masa ndëshkuese dhe jashtë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.

Ai ka përmendur edhe zhvillimet rreth fabrikës së qumështit Vita duke thënë se pasojat po i bartin punëtorët, fermerët dhe bizneset vendore.

“Po humbim investime, po humbim vende pune dhe dinjitetin ekonomik të vendit. Sot e pagoi Vita, nesër kush?”, ka deklaruar Rama.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë ndaj aleatëve ndërkombëtarë duke përmendur refuzimin e projektit të gazit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka akuzuar ekzekutivin se po përpiqet t’i mbajë qytetarët “peng të lëmoshave dhe premtimeve elektorale”, në vend që të krijojë vende pune dhe zhvillim ekonomik.

Rama e ka cilësuar gjendjen aktuale si pasojë të një “qeverie autokrate, të paaftë dhe papunëtore” duke e përmbyllur reagimin e tij me fjalën: “Mjerim!”. /Kosova.info/


Go to TOP