Shoqata e Qumështoreve kërkon ndalimin e vajit të palmës

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës në fabrikat e përpunimit të qumështit, duke paralajmëruar se përdorimi i tij po dëmton prodhimin vendor, fermerët dhe konsumatorët.

Përmes një reagimi, Shoqata vlerëson se përdorimi i vajit të palmës po ndikon në mbylljen e fermave vendore, po dëmton shëndetin e konsumatorëve dhe po e zbeh efektin e skemave mbështetëse të Qeverisë për sektorin e qumështit.

Sipas tyre, edhe produktet e përgatitura me vaj palme dhe qumësht pluhur po e dëmtojnë rëndë imazhin e produkteve vendore.

Shoqata ka paraqitur edhe disa kërkesa, duke kërkuar që qumështi i fermerëve të grumbullohet në çdo pjesë të Kosovës; çmimi i qumështit për fermerët të rikthehet në nivelin e mëparshëm; të ndalen reduktimet e grumbullimit, të cilat i cilëson si të pajustifikuara; të marrin fund vonesat në pagesat për qumështin, të cilat, sipas Shoqatës, në disa raste zgjasin nga tre deri në gjashtë muaj.

Shoqata u ka bërë thirrje që të ndërmarrin masa për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe për përmirësimin e kushteve për fermerët e sektorit të qumështit. /Kosova.info/


Go to TOP