Ferati: Të hapet menjëherë “Vita”, të mos dëmtohen fermerët dhe punëtorët

Kryetari i Istogut Ilir Ferati reagoi pas vendimit për mbylljen e Qumështores ‘Vita” në Istog duke vlerësuar se ky vendim ka shkaktuar shqetësim të madh për shkak të pasojave të këtij veprimi te fermerët dhe punëtorët.

Postimi i plotë:

Një goditje e rëndë për ekonominë e komunës sonë

Sot, qumështorja Vita është mbyllur pas një aksioni të zhvilluar nga disa inspektorate.

Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të madh në Komunën e Istogut, duke prekur drejtpërdrejt fermerët vendorë, qindra punëtorë dhe gjithë zinxhirin e prodhimit të qumështit.Vita është një nga kompanitë më të mëdha të industrisë së qumështit në Kosovë dhe partneri kryesor i shumë fermerëve të komunës sonë. Çdo ndërprerje e funksionimit të saj sjell pasoja të menjëhershme ekonomike për familjet që jetojnë nga prodhimi dhe grumbullimi i qumështit.

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, shpreh shqetësimin e tij të thellë për mënyrën dhe pasojat e këtij veprimi, i cili ka krijuar pasiguri të madhe për fermerët dhe punëtorët e komunës sonë.

Po ashtu, Kryetari Ferati kërkon hapjen e menjëhershme të kësaj qumështoreje, në mënyrë që të mos dëmtohen fermerët, punëtorët dhe ekonomia lokale, ndërsa çdo çështje tjetër të trajtohet në rrugë institucionale dhe me transparencë të plotë.Komuna e Istogut do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të fermerëve, punëtorëve dhe prodhimit vendor, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të komunës sonë. /Kosova.info/


Go to TOP