Lahu pret përfaqësuesin e KFOR-it hungarez: Bashkëbisedim për mirëqenien e kafshëve dhe bashkëpunimin në terren
Veterinari Nazmi Lahu ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me një përfaqësues të KFOR-it Hungarez në ambientet e ambulantes së tij veterinare. Takimi u vlerësua si shumë i frytshëm dhe u përqendrua në çështje që lidhen me mirëqenien e kafshëve si dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në terren.
Lahu falënderoi përfaqësuesin e KFOR-it për vëmendjen dhe mbështetjen ndaj punës së tij dhe kolegëve të tij që veprojnë në zona rurale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e shërbimeve veterinare dhe mbrojtjen e kafshëve.
“Jam mirënjohës për bashkëpunimin dhe interesimin e treguar për punën tonë në shërbim të komunitetit rural dhe kafshëve,” deklaroi Lahu pas takimit.
Ky bashkëpunim nënvizon rolin që luan misioni i KFOR-it jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të mirëqenies së përgjithshme në Kosovë. /Kosova.info/
