Kurti përkujton Rexhep Malajn dhe Nuhi Berishën në 42-vjetorin e rënies së tyre
Në 42-vjetorin e rënies së dy veprimtarëve të shquar politikë e kombëtarë, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjet Malaj dhe Berisha në Gjilan.
I shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, deputetë të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe bashkëpunëtorë, Kurti nderoi jetën dhe veprën e dy figurave të rezistencës shqiptare duke kujtuar sakrificën e tyre për liri dhe pavarësi.
Rexhep Malaj ishte anëtar udhëheqës i organizatës së fshehtë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRShJ), ndërsa Nuhi Berisha udhëhiqte Shtabin Operativ të LRShJ-së për Universitetin e Prishtinës. Ata ishin ndër figurat kyçe të rezistencës politike kundër regjimit jugosllav.
Mbrëmjen e 11 janarit 1984, policia jugosllave ndërmori një aksion për kapjen e tyre duke i rrethuar në një shtëpi ku ishin strehuar në lagjen Vranjec në Prishtinë, sot e njohur si Kodra e Trimave. Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha rezistuan me armë dhe, pas mesnate, u vranë nga forcat policore.
Rënia e tyre u përjetua si një akt i lartë flijimi dhe rezistence duke u kthyer në shembull frymëzimi për brezat e aktivistëve dhe për mbarë popullin shqiptar në Kosovën e pushtuar nën Jugosllavi.
Lavdi Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës! /Kosova.info/
